
Këtë vikend do të zhvillohet finalja e Kupës së Mbretit në Spanjë, me Real Madridin e Osasunan që do të luajnë ndaj njëri-tjetrit për këtë trofe.
Kjo finale e madhe do të luhet të shtunën e 6 majit, duke filluar nga ora 22:00 dhe zhvillohet në stadiumin kombëtar të Spanjës “Estadio la Cartuja”.
Real Madridi në këtë finale u kualifikua pasi mposhti Cacereno, Villarrealin me rikthim, Atletico Madridin dhe Barcelonën, të cilën e ‘shkatërroi’ 4-0 në “Camp Nou” për të përmbysur rezultatin.
Ndërsa, në anën tjetër, Osasuna kishte kundërshtarë më të lehtë, mirëpo kishte ndeshje më shumë për të kaluar.
Gjatë rrugëtimin për në finalen e 6 majit, Osasuna eleminoi Fuentes, Arnedon, Gimasticun, Betisin, Sevillan dhe në gjysmëfinale Athletic Bilbaon.
Real Madridi ka luajtur 39 herë në finalen e Kupës së Mbretit, gjersa ka arritur të fitojë vetëm në 19 raste, me ç’rast renditet i treti me trofe në këtë kompeticion pas Barcelonës dhe Bilbaos.
Ndërkohë, kjo do të jetë hera e dytë e pamplonasve që luajnë në finale të Kupës së Mbretit, me herën e parë që daton në vitin 2005, kur u mposhtën nga Betisi pas vazhdimeve.
Kampion në fuqi i Kupës së Mbretit është Real Betisi, i cili fitoi këtë trofe për herën e tretë në historinë e tyre. Klubi nga Sevilla mposhti Valencian pas penaltive për ta fituar trofeun gjatë sezonit të kaluar.
Më së shumti tituj në këtë kompeticion ka Barcelona. Katalanasit kanë fituar Kupën e Mbretit në 31 raste gjatë historisë së tyre si klub.