Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Retkoceri: Prishtina synon të dyfishojë kapacitetet për trajtimin e qenve endacakë

Gazeta10
24 June 2026 - 9:03

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka bërë të ditur se kryeqyteti po planifikon të rrisë kapacitetet për trajtimin e qenve endacakë, me synimin që ato të dyfishohen gjatë muajit shtator.

Sipas tij, qendra ekzistuese për trajtimin e qenve endacakë ka kapacitet për të trajtuar deri në 200 qen, por numri i madh i qenve nëpër lagjet e kryeqytetit kërkon zgjerimin e kapaciteteve dhe angazhimin e stafit shtesë.

“Ju e dini se kryeqyteti ka një qendër për trajtimin e qenve endacakë, e cila aktualisht ka kapacitet për të trajtuar deri në 200 qen. Ne po i shqyrtojmë mundësitë që në shtator ta dyfishojmë këtë kapacitet për menaxhimin e tyre”, tha Retkoceri.

Ai theksoi se aktualisht vetëm dy kapës të qenve janë të angazhuar në terren, gjë që po e vështirëson menaxhimin e situatës në të gjithë territorin e Prishtinës.

Retkoceri shtoi se Komuna është duke punuar për sigurimin e më shumë personelit, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve dhe trajtimit më efikas të problemit të qenve endacakë në kryeqytet./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.