
Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Për shkak të motit jo të mirë e erërave të forta gjatë vikendit në shumë qytete të vendit u shkaktuan dëme dhe u dëmtuan shtyllat elektrike. Njëri nga vendbanimet e prekura është edhe fshati Ribar i Madh i Lipjanit, ku prej disa ditësh shtyllat e rrëzuara po rrezikojnë jetën e banorëve. KEDS është informuar për rastin dhe premton për intervenim gjatë ditës.
Erërat e fuqishme të dy ditëve më parë kanë shkaktuar dëme të mëdha në shumë vende të Kosovës.
Banorët e fshatit Ribar i Madh i Lipjanit janë rrezikuar nga rënia e dy shtyllave elektrike për shkak të erërave të mëdha në mbrëmjen e së premtes.
Brahim Bllaca ka thënë se gjendja e shtyllave nuk ka qenë e mirë as më parë, por tani duhet intervenim i menjëhershëm.
Banorët thonë se kanë kërkuar ndihmë nga KEDS pasi situata mund të vështirësohet nëse gjatë ditëve mund të ketë erëra të tjera.
E nga KEDS kanë thënë se janë të njoftuar për rastin.
Zëdhënësi i KEDS-it, Lulëzim Krasniqi ka thënë se ekipi ka bërë vlerësimin e gjendjes nga terreni dhe gjatë ditës do të bëhen intervenimet.
Për shkak të erërave të forta, dëme me të mëdha janë shkaktuar në qytetin e Istogut, Vitisë dhe Klinës.