10 LIVE

Rikthehet racizmi i tifozëve serbë, akuzohet Vuçiqi (Video)

Gazeta10
27 Korrik 2023 - 18:49

Raporti: Saranda Alshiqi

Tifozët serbë të klubit të Crvena Zvezda (Cërrvena Zvezdes) përmes një koreografie kanë bërë thirrje për kthimin e ushtrisë së Serbisë në Kosovë. Kjo u bë në ndeshjen që klubi nga Beogradi luajti kundër klubit italian Fiorentina. Ndaj këtyre mesazheve luftënxitëse, kanë reaguar krerët e FFK-së dhe institucioneve të Kosovës, duke kërkuar reagimin e FIFA-s dhe UEFA-s.

“Kur do të kthehet ushtria në Kosovë”, shkruhej poshtë një tanke të formuar përmes një koreografie nga tifozët e klubit serb, Crvena Zvezda, të njohur si “Delije”.

Përmes kësaj koreografie gjatë ndeshjes miqësore kundër klubit italian, Fiorentina, ata kanë kërkuar kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Ky veprim i tifozëve të klubit beogradas, ka nxitur reagime të shumta.

Federata e Futbollit e Kosovës, i ka dërguar ankesë në FIFA dhe UEFA, duke thënë se kjo koreografi është provokim dhe luftënxitëse.

Federata e Futbollit të Kosovës e ka dënon ashpër dhe njëherësh ka shprehur zemërimin dhe shqetësimin e saj lidhur me koreografinë skandaloze, luftënxitëse të tifozëve të klubit serb, Crvena Zvezda, në ndeshjen e futbollit kundër Fiorentinës në Beograd. Ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës.”

Ndaj, këtij veprimit të tifozëve serbë, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili e ka quajtur mesazh jopublik i presidentit, Aleksandar Vuçiq.

“E gjithë kjo ndërkohë që edhe Vuçiq ishte i pranishëm në tribuna. I gjithë aparati shtetëror është ndërtuar në Serbi për median, sportin, artin, kulturën, shkencën që të përdoren për mjete propagandistike dhe për të nxitur dhunën, terrorin, tensionet dhe luftën. Ai ka nevojë për akte të tilla për të ushqyer urrejtjen dhe nacionalizmin etnik në opinionin publik”.

Ndërkohë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se Serbia po e mobilizon tifozërinë për mesazhe lufte.

“Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte! Koreografia e organizuar në ndeshjen miqësore të futbollit të zhvilluar dje ndërmjet ‘Yllit të kuq dhe Fiorentinës në Beograd, tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë. Grupi i tifozerisë ‘Delije’ mbrëmë ka shfaqur një koreografi ku shihet një tank i madh me sfondin e flamurit serb dhe me shkrimin nën të ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

Më tutje, Çeku ka thënë se Serbia nuk po e kursen as sportin për promovimin e politikës luftënxitëse, derisa kërkoi që komuniteti ndërkombëtar të mos hesht.

Ky veprim skandaloz i tifozëve serbë ka ndodhur në minutën e 12-të dhe sekondën e 44-të, duke e ndërlidhur atë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.