
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën mbrëma në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku një 29-vjeçar dyshohet se u privua nga jeta me armë zjarri nga babai i tij, 53-vjeçar.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, rasti u raportua rreth orës 19:20, ndërsa motivi i kësaj ngjarjeje tragjike ende nuk dihet.
Pas ngjarjes, i dyshuari dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në kërkim nga organet e rendit.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar tri pushkë gjuetie, të cilat kishin leje të skaduara. Gjithashtu, është urdhëruar autopsia e trupit të viktimës.
Sipas autoriteteve, deri më tani nuk është raportuar ndonjë rast i mëparshëm i dhunës në familje mes tyre.
Rasti po hetohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndërsa kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit po vazhdojnë.
Nga vendi i ngjarjes në Pogragjë të Gjilanit, raporton gazetarja Sara Shehu./Gazeta10