Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ritakimi i Kurtit e Vuçiqit në Bruksel

Gazeta10
26 June 2024 - 14:42

Nga: Afërdita Lukaj

U takuan për herë të fundit më 14 shtator të vitit të kaluar, e që prej atëherë refuzuan të ulen ballë për ballë në tavolinën e bisedimeve.

Kurti e Vuçic po rikthehen në Bruksel, gati 10 muaj pas takimit të fundit.

Takimi i fundit mes dy liderëve, kosovar dhe atij serb, Kurtit e Vuçiq nuk e pati rrjedhën e mbarë.

Vetëm 10 ditë më pas, më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zvecanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku. Ky sulm u cilësua si sulm terrorist nga Bashkësia Ndërkombëtare. Gjatë përleshjeve, u vranë edhe tre terroristë serbë.

Që prej atëherë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq janë larguar nga tryeza e bisedimeve, dialogu u ngri,  duke hedhur një hije të gjatë mbi marrëdhënie tashmë të acaruara.

Kosova drejtoi gishtin tek Serbia, e Serbia e mohoi fajin.

Atëkohë, më 13 tetor,  kryeministri Kurti tha se për të nuk ka kuptim që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të vazhdojë sikur të mos kishte ndodhur asgjë në Banjskë.

Në mënyrë urgjente, u aktivizuan emisarë perëndimorë që kërkonin shtensionimin e situatës, me vizita të njëpasnjëshme në Prishtinë e Beograd, duke kërkuar normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.

Si rezultat I takimit të pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë që zhvilluan në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor 2023 dhe shkëmbimeve që patën me palët, BE propozoi një plan modern evropian për Asociacionin, por pa sukses.

Po atë muaj, më 26 tetor, pati edhe një përpjekje tjetër të treshes evropiane, presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Scholz, dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni bashkë me shefin e politikës së jashtme, Josep Borell, ku Kurti e Vuçiq u takuan ndaras me përfaqësuesit evropianë, derisa edhe kjo përpjekje përfundoi pa ndonjë rezultat.

Më pas në Kosovë, veturat me targa ilegale serbe u riregjistruan me targa të Kosovës, e pasoi me vendimin e Qeverisë së Serbisë  e cila vendosë t’i lejojë makinat me targa RKS, të qarkullojnë në territorin e saj. Kosova po ashtu lejoi qarkullimin e lire të makinave me targa të Serbisë.

Por tensioned rriten sërish, kur Banka Qendrore e Kosovës, më 17 janar njofton se nga 1 shkurti, valuta e vetme për pagesat në Kosovë do të jetë euroja, duke e ndaluar qarkullimin e dinarit serb.

Nën presion ndërkombëtar, për të kërkuar një zgjidhje për dinarin, kryenegociatorët e dy vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq zhvilluan shtatë takime – por asnjëri takim, nuk pati sukses.

Më pas, jo në tavolinën e bisedimeve por në Këshillin e Sigurimit në OKB, Albin Kurti e Aleksandar Vuçiq shkëmbyen akuza e kundërakuza në një seancë të jashtëzakonshme. Kjo seancë u thirr nga Serbia pas zbatimit të rregullores së BQK-së, gjë që nxiti edhe shqetësime ndërkombëtare për mundësinë e tensioneve ndëretnike.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq,  në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, akuzoi institucionet e Kosovës të cilat sipas tij, krijuan kushte të padurueshme për serbët në Kosovë.

“Prishtina po i pamundëson veprimet e të gjitha institucioneve shëndetësore, kulturore e arsimoreqëofrojnë kushtet bazike. Çdo parandalim I financimit të sitaleve, shkollave e çerdheve të Serbisë është sulmi drejtpërdrejt ndaj serbëve dhe ndaj themelimit të Asociacionit”

I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, I cili gjithë atë se çfarë tha lideri serb, i quajti gënjeshtra.

Kryeministri Kurti akuzoi Serbinë edhe për mosnënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel dhe në Ohër, duke mos i respektuar edhe pikat për të cilat janë dakorduar, derisa e sfidoi aty për aty që ta nënshkruante marrëveshjen.

“Serbia refuzon dy obligime kyçe, që të mos pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të mos respektojë integritetin territorial. Nënshkrimi i Marrëveshjes nuk është vetëm formalitet është edhe garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan. E ftoj të nënshkruajë, këtu, sot, menjëherë – duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së nëkëtë marrëdhënie.”

Situata vazhdoi të mbetet e tensionuar edhe në muajt e pranverës kur komuniteti serb në veri të Kosovës, pas thirrjes nga Lista Serbe vendosi t’i bojkotojë votimet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore: Mitrovicë, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Gjatë kësaj kohe, Serbia duke shkelur marrëveshjen e Ohrit u angazhua në fushatë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kësisoj duke tentuar ta pengojë avancimin e statusit të Kosovës në asamblenë parlamentaretë NATO-s.

Ndërkaq, Kosova nuk arriti të futej në agjendën e KiE-së në muajin maj, kur do të vendosej për fatin e anëtarësimit të saj, pasi që refuzoi kërkesat e diplomatëve perëndimorë për të ndërmarrë hapa në drejtim të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Një tjetër temë e nxehtë për takimin e radhës mes dy liderëve është edhe ura mbi lumin Ibër, ku hapja e saj për qarkullim erdhi në focus kohëve të fundit derisa ngriti shqetësime nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkaq, gjatë gjithë kësaj kohe, që prej qershorit 2023, BE-ja ende ka në fuqi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat i ndërmori pas situatës së tensionuar në Veri vitin e kaluar. Javën e kaluar, Josep Borell njoftoi se ka përgatitur një raport për heqjen e masave ndaj Kosovës, duke paralajmëruar se ato do të heqen pjesërisht dhe gradualisht.

Në tri vitet e fundit, Kurti dhe Vuçiq  u takuan tetë herë. 

Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 27 shkurt dhe 18 mars 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, marrëveshje kjo që ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se nëse nuk ka progres në normalizim nga të dyja palët, atëherë nuk do të ketë as progrss në negociatat për anëtarësim.

Tani, derisa palët përgatiten për ritakim,pesha e problemeve të pazgjidhura dhe e sulmit të fundit në Banjskë, duket e madhe, duke e vënë në prove shpresën e brishtë për normalizim! /GAZETA10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
30 July 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.