
Pas humbjes nga Getafe të hënën mbrëma, Real Madridi ka marrë edhe një lajm të keq.
Rodrygo ka këputur ligamentin ACL dhe do të jetë jashtë fushave për gjashtë deri në shtatë muaj.
Me këtë rast, anësori do të humbasë edhe Botërorin me Brazilin që do të mbahet gjatë kësaj vere.
Lëndimet e rënda i kanë përcjellur shumë lojtarët e Real Madridit viteve të fundit, dhe kjo është rikthyer në shqetësim të madh për ta.
Rodrygo mbrëmë e kishte vazhduar ndeshjen si i lënduar dhe pas ekzaminimeve mjekësore është kuptuar se dëmtimi është shumë i rëndë.
Lëndimi i tij do të jetë një humbje e madhe edhe për Brazilin e Carlo Ancelottit, pasi ai është pjesë e rëndësishme e pesë herë kampionëve të Botës.
Rodrygo këtë edicion ka zhvilluar 19 paraqitje në La Liga, prej të cilave ka shënuar një gol dhe ka dhuruar katër asistime.
25-vjeçari është pjesë e Real Madridit që nga viti 2019, ku erdhi nga Santos për shumën e 45 milionë eurove.