
Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, deklaroi sonte në emisionin “Politiko” se Kosova ka nevojë për zgjedhjen e presidentit dhe për stabilitet institucional, e jo për përsëritje të zgjedhjeve.
Duke folur për zhvillimet pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale të 16 shtatorit, Rrustemi tha se spektri politik duhet të përballet me këtë vendim dhe të vazhdojë, siç u shpreh ai, mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së UÇK-së.
“Pajtohemi i gjithë spektri politik që pas 16 shtatorit duhet secili të merremi me këtë vendim. Duhet të vazhdojmë të përballemi me kuptimin e mbrojtjes së të vërtetës historike të luftës së UÇK-së, por për t’u përballur me këtë, besoj se është element i domosdoshëm stabiliteti institucional.”
Sipas Rrustemit, përballja me proceset në Gjykatën Speciale kërkon institucione funksionale dhe stabilitet politik.
“Kosova ka nevojë për president, s’ka nevojë për zgjedhje, ka nevojë për stabilitet institucional”, deklaroi Rrustemi.
Ai theksoi se, sipas tij, vendi nuk mund të përballet me Gjykatën Speciale përmes zgjedhjeve të përsëritura dhe destabilitetit institucional.
“Nuk mund të përballemi me Gjykatën Speciale me zgjedhje të përsëritura, destabilitet e mungesë institucionesh.”