
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës po vazhdon të mos i marrë parasysh thirrjet e kryeministrit Albin Kurti për ndërprerjen e grevës e fillimin e procesit mësimor. Nga kjo sindikatë kanë kritikuar të parin e ekzekutivit që në vend se t’i kthehet dialogut, po humbet kohë duke u shëtitur në komuna. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre, shkruan Kanal10.
Thirrjet e kryeministrit Albin Kurti, e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk i morën përsëri parasysh.
Aq më shumë Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, kritikoi kreun e ekzekutivit, e të parën e Ministrisë së Arsimit, se në vend të dialogut, po humbasin kohë duke u shëtitur në komuna.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një konferencë të mbajtur për media tha se greva do të vazhdojë edhe më tej, e kjo për shkak të mungesës së gatishmërisë së qeverisë, për t’u ulur në tavolinë me ta e për të diskutuar.
Ndërkaq, kryetari i këshillit grevist në SBASHK, Reshit Kushaj deklaroi se greva do të ndërpritet atëherë kur kërkesat e tyre për 100 euro shtesa në paga do të pranohet nga ana e ekzekutivit.
Grevën e SBASHK-ut e mbështeti edhekryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Shqipëri, Nevrus Kaptell.
Ai tha se nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç uljes në tavolinën e bisedimeve e marrjes në konsideratë të kërkesave të sindikalistëve.
SBASHK-u ka hyrë në grevë që nga 25 gushti, me kërkesën për ndarjen e shtesave prej 100 eurove në paga deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Nga kjo sindikatë tash e një kohë të gjatë janë duke kërkuar takim me kreun e ekzekutivit, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për ndërprerjen e grevës e fillimin e procesit mësimor. /Gazeta10