
Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, të martën janë sekuestruar rreth 80 villa në Brezovicë. Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të njëjtat janë ndërtuar bazuar në lejet ndërtimore të cilat janë lëshuar në kundërshtim me ligjin.Nga Prokuroria nuk kanë treguar se kush janë pronarët e këtyre objekteve, derisa kanë thënë se gjatë aksionit nuk ka pasur të arrestuar.
Raportoi: Saranda Aliu, Kamera: Fisnik Slivova.
Nga ora 10 e mëngjesit, ia vunë dryrin rreth 80 villave në Brezovicë.
Këta zyrtarë policorë, mëngjesin e së martës morën urdhër për sekuestrim të një pjese të këtyre objekteve ndërtimore.
Kjo pasi lejet të cilat ishin lëshuar për ndërtimin e tyre, ishin në kundërshtim me ligjin.
Prokurori i rastit, Rasim Maloku, i cili udhëhoqi aksionin ka thënë se gjatë këtij operacioni nuk ka pasur të arrestuar, derisa ka treguar se së shpejti do të fillojnë sekuestrimet edhe në zonën e tretë të parkut.
Aksioni i kësaj të marte, është vazhdim i rastit Brezovica, i cili nisi nga viti i kaluar.
Deri më tani janë arrestuar mbi 30 persona, ndërsa për 70 të tjerë kanë nisur hetimet./Gazeta10