
Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në katër komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë, raporton Gazeta10.
Këtë e ka bërë publike vetë ky subjekt politik përmes një postimi në Facebook.
“Marrë parasysh vendimin e Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, duam të informojmë publikun se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, e as qytetarët që e përkrahin partinë tonë, nga të cilat mbi 95% janë në këto hapësira.”, thuhet në postimin e kësaj partie në Facebook.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas konsultimit me partitë politikë të Kosovës ka deklaruar se 18 dhjetori mund të jetë data e mundshme kur do të mbahen zgjedhjet.
Komunat veriore kanë mbetur pa kryetarë pasi serbët u larguan nga institucionet, dorëheqje ata dhanë edhe nga Kuvendi e sistemi i drejtësisë. /Gazeta10