
Makina e ekipit të Top Channel që raportonte nga veriu i Kosovës, është sulmuar nga serbët protesues.
Siç duket edhe në fotot më poshtë, në automjet janë shkruar simbole nacionaliste serbe dhe të njëjtit i janë hequr targat.
Protestuesit serbë kanë hedhur edhe bojë të zezë mbi xhamin e përparëm të automjetit.
Megjithëse KFOR dhe forcat e policisë janë të pranishme në zonë, kjo nuk i ka ndaluar ata të kryejnë akte sulmuese mbi automjetet pranë komunave apo të tentojnë të hyjnë me forcë brenda në institucione.
Korrespondentja e Top Channel në Kosovë, Leonita Bajrami ka njoftuar se protestuesit serbë ndaj gazetarëve kanë përdorur terma ofendues.
Gjithashtu edhe AGK-ja ka reaguar për këtë rast duke i dënuar ashpër këto sulme.
Kujtojmë se pak më parë edhe disa persona të maskuar kanë tentuar të sulmojnë ekipin e Periskopit në Zveçan, ku në një foto të dërguar shihet bluza e një gazetari e shqyer si shkak i tentimit të sulmit, nga i cili fatmirësisht nuk ka të lënduar.