
Propaganda e Serbisë ka vazhduar të shpërfaqet edhe në sport. Ekipi serb i tenisit, i përbërë edhe nga Novak Gjokoviq, të enjten ka hyrë në çerekfinale të “Davis Cup” nën interpretimin e një kënge nacionaliste serbe për Kosovën.
“Le të valojë flamuri i Serbisë nga Prizreni deri në Rumi”, është një nga fjalitë e tekstit të këngës “Gëzo popull serb”.
Hyrja ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale. Gjokoviqi njihet si nacionalist serb, që madje herën e fundit u doli në përkrahje pjesëtarëve të vrarë të grupit terrorist, që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Kjo ka bërë që Federata e Tenisit në Kosovë të reagojë duke e dënuar fuqishëm këtë provokim të Djokovic dhe pjesës tjetër të ekipit serb.
“Është për keqardhje që provokime të tilla me këngë e veprime nacionaliste po ndodhin nëpër ngjarje të mëdha sportive, e sidomos në Davis Cup që është Kampionati Botëror i Tenisit (ITF)”.
“Federata Ndërkombëtare e Tenisit si organizatore e kësaj garë është përgjegjëse dhe bashkëfajtore për këtë provokim të radhës ndaj shtetit të Kosovës”.
Serbia ka pasur të përballet në çerekfinale me Britaninë e Madhe.