Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Serbia në mes të Evropës dhe Rusisë në bllokun BRICS kundër perëndimit

Gazeta10
09 September 2023 - 10:48

Në Johanesburg të Afrikës së Jugut u mbajtë samiti i radhës i grupit BRICS të ekonomive në zhvillim, në të cilin u pranua edhe shteti më i ri, Emiratet e  Bashkuara Arabe (EBA).

Gjatë këtij samiti, blloku i përbërë nga shtetet si Kina, Brazili, Rusia, India dhe Afrika e Jugut ftoi gjashtë vende të reja – Argjentinën, Egjiptin, Iranin, Etiopinë, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – që të bëhen anëtarë të plotë që nga janari 2024, raporton Gazeta10.

Përtej kësaj sipas doktorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Gurakuq Kuqi janë 40 vende të cilat kanë bërë kërkesë për anëtarësim në BRICS, 6 vende të reja janë ftuar t’i  shtohen 6 vendeve themeluese, ku të gjitha së bashku do bëjnë afërsisht 40% të GDP-së botërore me tendenca të qarta dedollarizmi të tregtisë së tyre ndërkombëtare.

Në mesin e shteteve që së fundi ka shprehur interesim për t’u bërë pjesë e bllokut anti amerikan është edhe Serbia e cila siç duket në mes BE-së dhe Rusisë ka simpati ndaj bllokut ku bënë pjesë Rusia.

Në lidhje me këtë Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq kishte deklaruar se BRICS ka potencial të madh që duhet të mendohet për gjeneratat e ardhshme të Serbisë. Të njëjtën gjë Sipas Kuqit po tenton ta materializoj Aleksandër Vulin nëpërmjet partisë së tij, i cili është udhëheqës i shërbimit sekret serb dhe tashmë i futur në listë të zezë nga SHBA-ja.

Njejtë me Vulinin kishte vepruar edhe udhëheqës i Republika Serpska Millorad Dodik duke i kërkuar presidencës së Bosnjës që të aplikojnë për anëtarësim në BRICS dhe jo në BE.  

Tendencat e Serbisë për bashkëpunim dhe anëtarësim në BRICS, Gurakuq Kuqi i sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë për BE-në dhe SHBA-në ku sipas tij Serbia iu bënë me dije që ose duhet ta lejojnë ta realizojë politikën e tyre serbomadhe në Ballkanin Perëndimor “Bota Serbe” ose do hyjnë fuqishëm në blloqet anti-perëndimore.

“Kjo nuk është aspak në favor të Kosovës, pasi kjo e fundit nuk ka arritur asnjëherë të kuptoj politikën ndërkombëtare dhe ka dështuar diplomacia e saj”, tha Kuqi për Gazeta10.

Pas fuqizimit dhe zgjerimit të bllokut BRICS është nxitur një debat i gjerë se a do të arrijë ky bllok që të jetë lider në politikën globale duke mposhtur SHBA-të dhe Evropën.

Për Kuqin BRICS nuk do të jetë lider të paktën në një të ardhme të afërt, mirëpo sipas tij do jetë një leviatan që do i dalë në rrugë bllokut perëndimor në çdo pozicion ku i jepet mundësia.

Sipas tij vendet anëtare të BRICS dhe ato pretenduese për tu bërë anëtare nuk e kanë unitetin që kanë vendet e NATO-së dhe kjo i bënë shumë më të dobët, gjithashtu nuk kanë forcë ushtarake dhe ekonomike e po ashtu edhe pjekuri të madhe politike, por për aq sa kanë përbëjnë një frenim serioz për shtrirjen e mëtejshme të bllokut Perëndimor në Azi dhe Afrikë, e madje perëndimit ia kërcënojnë shumë pozicion sikur ato tani me grushtë-shtete në Gabon, Burikan Faso, Mali dhe Niger.

“Nëse BRICS, Rusia dhe Kina arrijnë që të prekin pozicione të perëndimit nëpërmjet kuajve të tyre të trojes në Evropë të tilla si Serbia, Hungaria, Bosnja me Republika Serpska, etj. Atëherë do e shtyjnë bllokun perëndimor që të lëshoj disa pozicione në regjione të ndryshme si kompensim apo do e kërcënoj Azinë dhe Afrikën në formë ushtarake nëpërmjet atollit Diego Garcia në Oqeanin Indian”, tha Kuqi, për Gazeta 10.

Sipas tij këtë bllok është duke e forcuar edhe më shumë gjeopolitika Belt and Road Initiative e Kinës e cila ka arritur të futet edhe në Afganistan pas largimit të SHBA-së nga kjo zonë. Ballafaqimet e tanishme janë duke krijuar një Evropë dhe Amerikë Veriore me shtrirje më gjerë dhe në anën tjetër disa blloqe të cilat janë duke u unifikuar në kundërshtim të bllokut Euro-Atlantik.

Blloku BRICS u themelua në vitin 2006, përbëhet nga Kina, Brazili, Rusia, India dhe Afrika e Jugut. Kujtojmë se Putin vendosi vetëm para pak javësh që të mos marrë pjesë fizikisht në samit e fundit të këtij blloku për shkak të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës ndaj tij, i cili duhet të zbatohej nga autoritetet e Afrikës së Jugut nëse kreu i Kremlinit do zbarkonte në Johanesburg. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.