
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të Amerikës, Matthew Miller, nuk ka dashur të komentojë mbi atë se kush është meritor për lirimin e tre policëve të kidnapuar të Kosovës nga Serbia,.
Duke e mirëpritur lirimin e policëve, Milleri në një konferencë për media, ka thënë se sukseset kanë shumë meritorë, raporton Gazeta10.
Ai refuzoi të fliste për ata që u dhanë merita ish-zyrtarëve amerikanë për lirimin e policëve si, ish-emisari Richard Grenell, duke thënë se janë të lumtur që ky lirim ka ndodhur.
“Nuk do të futem në pozitë të flasë për ish-zyrtarët, kam mjaftueshëm punë. Do të flasë për qeverinë e SHBA-së, kemi bërë thirrje për lirimin e policëve. Jemi të kënaqur që kemi parë lirimin e tyre. Siç thuhet suksesi ka mijëra baballarë. E cilado ishte arsyeja për t’i liruar policët, jemi të lumtur që ka ndodhur”, ka thënë ai.
Tre policët janë kidnapuar brenda territorit të Kosovës më 14 qershor nga forcat serbe, ndërsa lirimi i tyre ndodhi dje./Gazeta10