Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

SHBA-ja sërish kërkon themelim të Asociacionit

Gazeta10
09 November 2022 - 19:44

Departamenti Amerikan i Shtetit, serish u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të respektojnë marrëveshjet e Brukselit. Në veçanti, ka kërkuar nga Kosova të fillojë negociatat për themelimin e asociacionit për komunat serbe, derisa situatën e krijuar në veri e ka quajtur shqetësuese. Për marrëdhëniet Kosovë –Amerikë, ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke akuzuar ekzekutivin për moskoordinim. Kritika ka adresuar edhe kreu i PDK-së Memli Krasniqi, raporton Gazeta10.

Raporti: Gentiana Gashi

Kamera: Kanal 10

Përgjigjja për themelimin e asociacionit të komunave serbe, është e prerë.

Por, pas këtyre deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, nuk vonoi edhe reagimi i SHBA-së.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit, kanë kërkuar që të respektohen marrëveshjet e Brukselit, përfshirë atë për asociacionin.

Zëdhënësi i këtij departamenti, Ned Price, i ka parë me shqetësim tensionet e fundit në veri të vendit.

Veprimet e retorikat që rrisin mundësinë e dhunës, vetëm se vënë në rrezik të panevojshëm jetët e qytetarëve të pafajshëm dhe të trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Kosova e Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara tashmë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Këtu përfshihet edhe fillimi i negociatave për ta themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serb.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se zhvillimet e fundit në veri të vendit janë shqetësuese, duke theksuar se ka një potencial për përshkallëzim të situatës.

Teksa ka folur për kërkesat e SHBA-së karshi Kosovës,  Krasniqi ka deklaruar se është obligim i qeverisë që ta trajtojë këtë situatë me seriozitetin me të madh e t’i marr për bazë këshillat amerikane.

Kurse, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka alarmuar për përkeqësim marrëdhëniesh me SHBA-në.

Sipas tij, Serbia ka arritur të krijojë bindjen në Kosovë se vendi mund të funksionojë pa SHBA-në, të cilët sollën edhe lirinë.

“Kush do ta kishte menduar një fitore të tillë të Serbisë?! As në ëndrrat më të mira të tyre, nuk është menduar që Kosova do të normalizojë distancimin nga aleatët tanë kaq lehtë e kaq shpejtë. As në ëndrrat më të mira të Serbisë nuk është pritur ky përfundim i Kosovës me shtetet që i kanë dhënë dhe lirinë, dhe demokracinë dhe pavarësinë. Koha për refuzim dhe përballje të kësaj influence në vendimmarrje shtetërore e në diskurs publik. Nuk guxojmë një grup mjeranësh të na sjellin në këtë pozitë. Ta lësh Kosovën pa aleatë, është tradhti. Kërkesa për ecje me ShBA është akt patriotik.”

Analistët politik Drilon Gashi dhe Petrit Zogaj, thirrjen e SHBA-së për formim të asociacionit thonë se Kosova duhet ta trajtojë me seriozitet.

Sipas Gashit, edhe faktorit ndërkombëtarë duhet t’i adresohet frika e rrezikimit të sovranitetit dhe ndikimin që mund ta ketë Serbia  me themelimin e këtij asociacioni.

Kurse, Zogaj kërkon edhe kompromis për këtë çështje.   

Themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, në vazhdimësi e ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut Kosoë-Serbi./Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.