
Kosova ka fituar organizimin e Lojërat Mesdhetare të vitit 2030. Kandidatura “Prishtina 2030” ka marrë 58 vota pro, ndërsa shtatë ishin kundër.
Por, Komiteti Olimpik i Serbisë ka reaguar kundër këtij vendimi të Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, duke thënë se është ndërhyrje e politikës në sport.
Sipas Komitetit Olimpik të Serbisë, “pavarësisht se kandidatët e tjerë u tërhoqën dhe përkundër presionit të madh për të marrë vendimin unanimisht, organizimi i Lojërave Mesdhetare u dha, por me kundërshtim të fortë nga përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Serbisë, me 8 vota kundër”.
“Komiteti Olimpik i Serbisë dënon ashpër këtë lloj ndërhyrje të politikës në sport”, thuhej mes tjerash në reagimin e Komitetit Olimpik të Serbisë”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndaj deklarimeve të Serbisë ka reaguar shefi i stafit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela, i cili ka rikujtuar tekstin e një slogani nacionalist që ishte shfaqur së fundi në Serbi ku thuhej: “Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë”.
“Mendoj se ka më shumë kuptim të thuhet: “Kur sportistët serbë garojnë në Lojërat Mesdhetare në Kosovë”, në vend të thirrjes shoviniste për luftë të lyer me sprej nëpër Serbi!”, ka shkruar Vela në platformën ‘X’.