
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, me 8 vota pro dhe një abstenim, e ka shkarkuar, Naser Sahitin nga pozita e rektorit. Në vend të tij është emëruar profesoresha Luljeta Plakolli- Kasumi, si ushtruese e detyrës. Ndërkaq, Sahiti ka thënë se universiteti për të qenë serioz, duhet të heqë dorë nga plagjiatorët. E nga ORCA kanë thënë se duke e shkarkuar rektorin mund ta fitojnë betejën, mirëpo jo edhe luftën.
Raporti: Saranda Aliu. Kamera: Deurit Shaljani.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, të premten, është shkarkuar rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti.
Këshilli Drejtues i UP-së, e ka marr një vendim të tillë, pas mbledhjes ku edhe ka vlerësuar performancën e menaxhmentit të universitetit publik.
Anëtarët e këtij këshilli e kanë arsyetuar vendimin pasi që sipas tyre, ka pasur shkelje.
Ndërkaq, detyrën e tij do ta ushtrojë Luljeta Plakolli-Kasumi, e cila është edhe familjare e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Para fillimit të mbledhjes në fjalë, Organizata për Rritjen e Cilësisë së Arsimit ka mbajtur një aksion simbolik para rektoratit, duke kundërshtuar shkarkimin e Sahitit nga posti i rektorit.
Ndërkaq, ky i fundit ka thënë se nëse universitetit dëshiron të bëhet serioz e të jetë shembull, duhet t’i eliminojë plagjiatorët.
Nga ORCA, këtë ditë e kanë quajtur historike, pasi që sipas tyre për herë të parë rektori i UP-së e dërgon një anëtar të Këshillit Drejtues në Këshill të Etikës për plagjiaturë.
Paraprakisht, Sahiti nuk ka marr pjesë në mbledhjen e Këshillit Drejtues, pasi sipas tij një takim i tillë është i kundërligjshëm.
Kundër këtij shkarkimi kanë dalë edhe 19 organizata të tjera të shoqërisë civile, duke thënë se do t’i denoncojnë shkarkimet të zyrtarëve të institucioneve të arsimit të lartë pa u bazuar në gjetje reale për keqpërdorime./Gazeta10