
Në emisionin “Raport”, me Naim Sadikun, Kanal 10 ka shfaqur problemin e mbylles së shkollës në fshatin Kotlinë të Kaçanikut si pasojë e ikjes së banorëve ku në tërë fshatin kanë mbetur vetëm 20 banorë.
Banorët e këtij fshati shprehën të shqetësuar me ikjen e banorëve dhe sipas tyre problemi kryesor ishte mungesa e transportit që i shtyri që të dalin në qytet.
Shkolla “Naim Frashëri” ishte hapur në vitin 1948 si shkollë 4 vjeçare dhe më vonë si 8 vjeçare.
Besim Kuqi ish mesues në këtë shkollë ka thënë se shkolla ka nxjerrë shumë kuadro por që për shkak të shpërnguljes së banorëve shkolla mbeti vetëm me 3 nxënës dhe u detyruan ta mbyllin.
Ai shprehu emocionet e tij duke thënë që është e vështirë që pas gjithë atyre viteve të mbyllet kjo shkollë.
Në lidhje me mbylljen e shkollës, kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi ka thënë se ishte e pamundur që shkolla të mbahej me atë numër të vogël të nxënësve.
Ai tutje tha që nxënësit e kësaj shkolle tani janë transferuar në shkollën e fshatit tjetër dhe është zotuar që do të sigurojë transportin.
“Shkolla e 7-të që po mbyllet nga viti 2012 dhe është shumë shqetësuese”, ka thënë Ilazi. /Gazeta 10/