
Shkollat në Gjilan ende nuk e kanë siguruar furnizimin me ngrohje, në kohën kur vetëm kanë nisur të bien temperaturat. Për mësimdhënësit kjo situatë po krijon vështirësi në procesin mësimor. Për këto vonesa, kritika kanë hedhur nga opozita në këtë komunë. Në anën tjetër, zyrtarët komunalë kanë thënë se shkollat së shpejti do të furnizohen me lëndë djegëse, raporton Gazeta10.
Raporti: Viola Korça
Kamera: Arlind Morina
Kur kanë filluar të bien temperaturat në Kosovë, të gjitha shkollat në komunën e Gjilanit janë duke zhvilluar mësimin pa ngrohje.
Me një gjendje të tillë, tash e sa ditë po përballet edhe shkolla fillore “Abaz Ajeti” në këtë komunë.
Mësimdhënësja Hikmete Tahiri thotë se kjo gjendje po e vështirëson procesin mësimor.
Drejtori i kësaj shkolle thotë se nëse vazhdohet me këtë gjendje, nga e enjtja do të detyrohen që të shkurtojnë orët mësimore.
Për opozitën e kësaj komune, një situatë e tillë është shqetësuese.
Përveç që shkollat kanë mbetur pa ngrohje, nga LDK-ja e Gjilanit kanë hedhur kritika ndaj komunës edhe për çmimin me të cilin janë blerë drutë për ngrohje.
Ndërkohë, nga komuna e Gjilanit thonë se për shkak se ofertuesit nuk kanë dhënë çmim më të lirë, është krijuar kjo situatë.
Nënkryetarja Leonora Morina-Bunjaku ka thënë se nga e enjtja të gjitha shkollat do të furnizohen me lëndë djegëse për ngrohje.
Përveç komunës së Gjilanit, edhe në komunat e tjera është raportuar për të njëjtin problem./Gazeta10.