
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sport, Hajrullah Çeku ka njoftuar se është hapur konkursi për hartimin e Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, shkruan Gazeta10.
Çeku ka thënë se ky është njëri ndër projektet më delikatë të Republikës dhe se nuk do të kursehet asgjë që ndërtohet një kompleks memorial të përmasave botërore.
“Shpallet konkursi për hartimin e Master Planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz. Pas angazhimit të Komisionit të ekspertëve për hartim të detyrës projektuese, dhe pas miratimit të kushteve, kritereve dhe procedurave nga Qeveria e Kosovës, kemi shpallur konkursin për hartimin e Master Planit. Ky është ndër proceset dhe projektet më delikate të Republikës sonë, kemi punuar me hapa të sigurt, pa u ngutur, por edhe pa humbur kohë. Nuk do të kursejmë asgjë për të pasur një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit.”, shkroi ministri.
Ai ka shkruar se ky do të jetë një kompleks memorial që do të rrëfejë dinjitetshëm dhe me standard të arrirë artistik rezistencën e popullit dhe luftën për liri, pavarësi e bashkim.
Konkursi është hapur sot dhe afati i fundit për dorëzim është 07.07.2023./Gazeta10