
Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Pantina, ka shprehur shqetësimin e saj për debatet dhe përçarjet brenda partisë, duke thënë se LDK-ja duhet të synojë të fitojë dhe të ruajë një rol të pavarur në skenën politike.
Duke folur në emisionin “Adresa” në Kanal10, Pantina ka deklaruar se sipas saj, Vetëvendosje ka ndikuar në krijimin e një narrative të re politike rreth LDK-së dhe kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku.
“VV është ajo që i ka fryrë kësaj pune dhe sot, krejt papritur, u bë yll Lumir Abdixhiku”, ka thënë Pantina.
Ajo ka theksuar se më shqetësuese për të është fakti që edhe figura dhe anëtarë të vetë LDK-së kanë kontribuar në krijimin e ndarjeve brenda partisë.
“Për mua ka qenë më shqetësuese kur vetë LDK-ja, vetë njerëzit e LDK-së e kanë bërë këtë ndarje. Këta të PDK-së po duan patericë të PDK-së, këta të VV-së po duan patericë të VV-së”, është shprehur ajo.
Pantina ka insistuar se LDK-ja nuk duhet të shihet si mbështetje e ndonjë force tjetër politike, por duhet të ndërtojë rrugën e saj.
“LDK-ja nuk duhet të jetë as patericë e PDK-së, as patericë e VV-së”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se gjuha e përdorur brenda partisë është shqetësuese.
Sipas saj, LDK-ja duhet të ketë synim fitoren e zgjedhjeve, por edhe në rast se nuk del partia e parë, duhet të veprojë gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës./Gazeta10