
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka thënë se Kosova ishte e pranishme edhe në aktin historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të lidhjes së përbashkët në aspiratën për liri dhe shtetësi.
Në ceremoninë për shënimin e 28 Nëntorit, organizuar në Prishtinë, Malaj ka thënë se flamuri kombëtar, më shumë se një shekull pas ngritjes së tij, kujton jo vetëm prejardhjen, por edhe përgjegjësinë ndaj brezave të ardhshëm.
“114 vjet më parë, në Vlorë, Ismail Qemali dhe burrat e Rilindjes Kombëtare ngritën flamurin kuqezi duke i dhënë jetë një aspirate shekullore. Në atë akt historik, ishte e pranishme edhe Kosova, si dëshmi e gjallë se ideali i lirisë dhe i shtetësisë shqiptare nuk njihte kufij krahinorë. Sot, më shumë se një shekull më vonë, ky flamur na kujton jo vetëm nga vijmë, por mbi të gjitha çfarë përgjegjësie kemi përpara brezave që vijnë”, ka thënë Malaj.
Ai ka theksuar se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës burojnë nga historia, gjuha dhe trashëgimia e përbashkët, ndërsa rëndësia e tyre, sipas tij, qëndron në shndërrimin e kësaj lidhjeje në bashkëpunim konkret dhe zhvillim.
Malaj ka përsëritur se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në forcimin e shtetësisë, subjektivitetit ndërkombëtar dhe në rrugën drejt integrimit euroatlantik.
“Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në konsolidimin e shtetësisë, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe në aspiratën për integrim të plotë në institucionet euroatlantike. Kjo mbështetje për ne nuk është thjesht një qëndrim politik. Por një bindje strategjike e bazuar në interesin e përbashkët kombëtar, për një Kosovë të fortë demokratike të sigurt dhe të integruar ndërkombëtarisht”, ka thënë ai.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, është shprehur mirënjohës për përvojën e tij gjatë misionit diplomatik në Kosovë, duke thënë se përtej angazhimit institucional, nga Prishtina largohet me miqësi, respekt dhe kujtime të çmuara.