Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Shtohen forcat policore në veri (VIDEO)

Gazeta10
09 Dhjetor 2022 - 19:05

Raporti: Viola Korça

Pas lëndimit të një zyrtari policor, gjatë paradites të së premtes edhe një ekip i gazetarëve është sulmuar nga persona të maskuar në veri të Mitrovicës. Ndërkohë, pjesa tjetër e ditës ka qenë kryesisht e qetë, me shtim të forcave policore që po patrullojnë në këtë pjesë. Ndërsa, nga Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për qetësim të situatës.

E premtja ka qenë kryesisht e qetë në veri të Kosovës, por me prani të shtuar të Policisë, EULEX-it dhe të KFOR-it.

Ndërkaq, e qetë nuk ishte nata e së enjtes, ku si pasojë e një sulmi me armë zjarri është plagosur një polic i Kosovës.

Rasti ka ndodhur në fshatin Serbovc të Zveçanit, derisa njësitet policore ishin në detyra të rregullta në patrullim.

Polici i lënduar, është operuar në Prishtinë.

Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë thënë se gjendja e tij është stabile. 

Gjatë së premtes, atë e ka vizituar kryeministri i vendit, Albin Kurti.

“Ekrem Neziri, polici që u plagos mbrëmë në veri të Kosovës, është operuar me sukses të plotë sot në QKUK. Vullnetin e kishte të fortë, kurse shëndetin e mirë. Me të këtillë zyrtarë mbahet shteti. Kriminelët do të ndiqen e dënohen.”

Ndërkaq, në paraditen e së premtes, nga një grup qytetarësh të maskuar është sulmuar edhe një ekip i gazetarëve të Kallxo.com

Rastin e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka kërkuar nga Policia që të ofrojë siguri të plotë për gazetarët që raportojnë nga veriu i vendit.

Për situatën në veri të vendit, Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano i ka dënuar këto sulme, derisa ka bërë thirrje për qetësim të situatës.

 
I dënojmë incidentet e dhunshme dhe sulmet. BE-ja bën thirrje për përgjegjësidhe shtensionim, për të mirën e popullatës lokale. EULEX-i dhe KFOR-i janë prezent në terren dhe vazhdojnë patrullimin dhe monitorimin e situatës. Fokusi, duhet të jetë në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi sepse kjo është qenësore për rrugën evropiane për të dyja vendet, e edhe për qetësimin e situatës, dhe për shtensionim, diçka që BE-ja e ka thënë vazhdimisht e edhe kohën e fundit, në samitin e Tiranës.

Ndërkohë, shtimi i forcave policore në veri të vendit është mirëpritur nga qytetarët që jetojnë atje, duke thënë se prania e tyre është e domosdoshme.

Tensionimi i situatës në veri është rikthyer ditëve të fundit, pasi që pasditen e së martës, grupe të qytetarëve serbë në veri kanë penguar hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente me armë zjarri dhe granata.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, derisa institucionet e Kosovës janë duke pritur vlerësimet për situatën e sigurisë, para se të merret vendimi për mbajtjen e tyre ose jo.  / Kanal10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.