Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Sinjale për heqjen të vizave, por s’ka datë

Gazeta10
29 September 2022 - 19:45

Raporti: Egzona Shala/Kanal10

Çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët, ka qenë kryetemë e takimeve të ministrit të jashtëm çek Jan Lipavsky gjatë vizitës në Kosovë. Ai është pritur në takim nga presidentja Osmani, kryeministri Kurti e zëvendëskryeministri Bislimi. Kryediplomati çek ka thënë se ka pritje të mëdha që të ndodhë sa më shpejt ky proces, por ka shtuar se nuk mund të jap ndonjë datë se kur mund të ndodh heqja e vizave, shkruan Kanal10.

Sinjale pozitive për liberalizim të vizave ka dhënë në Prishtinë, ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky.

Kryediplomati çek, ka thënë se Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së do ta përkrahë heqjen e vizave për kosovarët dhe është në diskutime me ministrat e shteteve tjera që ky proces të shtyhet përpara.

Megjithatë, diplomati çek nuk ka përmendur afat kohor se kur kosovarët mund të lëvizin lirshëm në zonën shenjen.

“Është një proces i cili përbëhet nga aspektet teknike dhe vendimet politike. Shumë shpejtë BE do të rishikoj pjesën teknike dhe shpresoj që presidenca çeke do të ketë një vendim politik dhe liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë. Procesi teknik është i paparashikueshëm. Pritjet e mia për vendimet politike janë  të larta. Unë kam kërkuar nga Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës për pozicioni e tij, ai ka thënë që do të shohim aspektin teknik ku përmes kësaj do të kemi lëvizje e pastaj do të vendosim për aspektin politik”, tha Jan Lipavský – Ministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë

Ndërsa, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ministri Lipavsky ka kërkuar respektim e zbatim të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i, Besnik Bislimi, është shprehur i bindur se Çekia do ta mbështes liberalizmin e vizave për Kosovën.

Ai ka thënë se vënia e Kosovës në agjendë për liberalizimin e vizave më 13 tetor është një hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar.

“E çmojmë faktin se e keni vendosur lartë agjendën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova do të jetë në agjendë më 13 tetor. Ky është hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar. Janë pesë procedura. Jemi të bindur se Çekia do ta shtyjë përpara këtë proces sa është në krye të BE-së. Ky është hap i rëndësishëm për qytetarët tanë. Procesi i liberalizimit është i rëndësishëm jo vetëm si simbolik, por edhe në politikë pasi do ta rritë kredibilitetin”, tha Besnik Bislimi – Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian.

Kryediplomati çek e ka pritur në takim edhe presidentja Vjosa Osmani. Përmes një njoftimi thuhet se presidentja Osmani pret që heqja e vizave për Kosovën të bëhet gjatë presidencës çeke.

Sipas njoftimit, presidentja Osmani ka thënë se Kosova do të dorëzojë këtë vit edhe aplikimin për statusin e vendit kandidat për në BE.

Ministrin e Jashtëm çek Jan Lipavsky, e ka pritur në takim edhe kryeministri Albin Kurti./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.