Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

S’ka transport në Kërvasari, 28 nxënës ndërprenë shkollimin

Gazeta10
15 November 2022 - 19:23

Raporti: Saranda Alshiqi /Kanal10

28 nxënës të fshatit Kërvasari në Malishevë nuk janë duke shkuar në shkollë. Kjo për shkak të mungesës së transportit. Prindërit kanë bërë fajtore Komunën e Malishevës që nuk ua ka zgjidhur problemin, derisa kanë thënë se pa u siguruar transporti, fëmijët nuk do t’i dërgojnë në shkollë. Nga Drejtoria e Arsimit kanë thënë se kanë hapur tender, por nuk ka pasur interesim nga askush, i cili më pas është mbyllur, shkruan Kanal10.

Do të duhej të ishin në shkollë, por këta fëmijë në vend të mësimit po argëtohen me lojëra të ndryshme.

28 nxënës të fshatit Kërvasari në Malishevë, kanë vendosur të mos shkojnë në shkollë.

Kjo për shkak se shtëpitë e tri lagjeve në këtë fshat gjenden rreth tri kilometra larg objektit të shkollës dhe në mungesë të transportit, udhëtimin nuk mund ta bëjnë në këmbë.

Këta nxënës kanë kërkuar që t’u bëhet një zgjidhje, pasi dëshira e tyre është që ta vazhdojnë mësimin. 

Për mungesën e transportit, prindërit e nxënësve e kanë bërë fajtore Komunën e Malishevës, që sipas tyre, nuk ka bërë zgjidhje.

Ata thonë se përderisa gjendja vazhdon të jetë e njëjtë, për shkak të largësisë, fëmijët e tyre nuk do t’i dërgojnë në shkollë.

Drejtoresha e Arsimit në Malishevë, Arbëreshë Krasniqi ka thënë se komuna ka hapur tenderin për transport, por nuk kishte pasur ofertues.

Ajo ka thënë se janë në kërkim të një zgjidhje tjetër, për të siguruar transportin për nxënësit e fshatit Kërvasari.

Përveç mungesës së transportit, një pjesë e madhe e rrugës në këtë fshat është e paasfaltuar, për çka banorët kanë thënë se e vështirëson edhe më shumë qarkullimin.

Nga Komuna e Malishevës kanë thënë se nuk kanë mjete për ta përfunduar të gjithë rrugën, por rreth 800 metra të saj do të planifikohet të asfaltohen së shpejti.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.