
Nasuf Bejta do ta zë vendin e deputetes së dorëhequr të Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi Goodman, raporton Gazeta10.
Bejta ka thënë se ai do të betohet në Kuvend dhe para të gjithë qytetarëve që ia kanë besuar votën.
Më tej, ai ka thënë se do të angazhohet për mirëqenien e popullit dhe ndërtimin e shtetit.
Betja i ka uruar shërim të shpejt Krasniqit dhe e ka vlerësuar karakterin e saj.
Këtu keni statusin e plotë:
“Qytetarë të Republikës së Kosovës, ju njoftoj se nesër në seancën e radhës në Kuvendin e Kosovës duhet të bëj betimin si deputeti më i ri.
Para se ta bëj betimin procedural e ligjor në Kuvend, dua të betohem para jush qytetarë të nderuar e veçanërisht para juve që më besuat me votën tuaj.
Zotohem se do të angazhohem për mirëqenien e popullit tim dhe mirëbërjen e shtetit të mirëfilltë.
Me këtë rast, zonjës Vasfije Krasniqi Goodman i dëshiroj shërim sa më të shpejtë e shëndet të qëndrueshëm. Ajo është dhe do të mbetet një shembull i gruas së guximshme me karakter të fortë e të pathyeshëm.
Me respekt për të gjithë,
Nasuf Bejta”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10