
Ish-ambasadori i Kosovës në ShBA, Avni Spahiu ka thënë asnjë qeveri e Kosovës s’do të duhej të pranonte asnjë marrëveshje që e dëmton sovranitetin e vendit.
Sipas tij, kërkesat e BE-së dhe ShBA-së për de-përshkallëzim te situatës, qeveria e Kosovës do të duhej t’i dëgjonte, transmeton Gazeta10.
“Asnjëherë asnjë qeveri s’duhet pranuar diçka që e dëmton sovranitetin, që dëmton pavarësinë e vendit. Por, s’duhet pranuar asgjë që e dëmton vendin në çfarëdo aspekti. Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, e dëmtojnë vendin. Duhet t’i dëgjojmë këshillat.”, tha Spahiu në Info10.
Ai i ka quajtur përpjekje ilegale, qëndrimet e qeverisë së Kosovës për ta shtrirë sovranitetin e plotë në veri.
“Kishim një marrëvshje të panënshkruar. Menjëherë pas saj kishim një refuzim të hapur nga kryeministri e presidentja. Tensionimet erdhën nga veriu. Përpjekjet e Kosovës ishin që në mënyrë ilegale ta shtrijë sovranitetin e plotë edhe në atë pjesë. Ndodhen edhe disa përpjekje diplomatike, që mund të jenë ndryshe nga pikëpamjet tona në këtë moment.”
Ai ka komentuar edhe ardhjen e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton dje në Tiranë, teksa tha se arrdhja e tij në Prishtinë do të ishte një shenjë e rëndësishme për vendin.
“Ardhja e tij në Kosovë, do të ishte një shenjë shumë e rëndësishme për vendin. Por, edhe kjo gjë dëshmon se ka një lloj ftohje me Kosovën. Shpresoj që këto raporte të kthehen në binarë sërish.”, deklaroi Spahiu tutje. /Gazeta10