
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që sa më parë të aplikojnë në thirrjen për subvencionimin për efiçiencë të energjisë për shtëpitë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se afati për aplikim do të zgjas dy javë.
“Sapo u hap afati për aplikim për subvencionimin për efiçiencë të energjisë për shtëpitë tuaja e që do të zgjasë dy javë. Thirrja e kaluar, e cila njëjtë si kësaj here ishte përkrahur edhe nga Bashkimi Evropian, u mbyll para afatit për shkak të interesimit të lartë. Prandaj aplikoni sa më parë, që të mund të siguroheni që përfitoni nga ajo”, shkroi ai teksa bashkëngjiti linqet për informim dhe për aplikim.
Ndryshe, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se qytetarët nga tash mund të aplikojnë për përkrahje financiare deri në 5 mijë e 500 euro për të izoluar shtëpitë a çatitë dhe për të zëvendësuar dritaret e dyert e jashtme.