
Raporti: Arbenita Ilazi/Kanal10
Për disa vjet me radhë qytetarët e Kosovës e kanë paguar jashtëligjshëm shfrytëzimin e energjisë elektrike nga banorët e katër komunave veriore. Këtë e ka vërtetuar Gjykata Supreme, e cila e ka refuzuar kërkesën e ZRrE-së për faturimin e rrymës të qytetarëve për komunat e asaj pjese. Njohës të ekonomisë e kanë vlerësuar të drejt këtë vendim, pasi është qytetarët nuk duhet të paguajnë për diçka që nuk e kanë shpenzuar.
Edhe një vendim i gjykatës e ka vërtetuar se qytetarët e Kosovës kanë paguar jashtëligjshëm shfrytëzimin e energjisë elektrike nga banorët në katër komunat veriore.
Gjykata Supreme të mërkurën e refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Sipas Supremes, pretendimet lidhur me arsyetimin e mosinkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mospasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë nuk janë të qëndrueshme.
Supremja vlerëson se nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore.
“Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 paragrafi 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut. Andaj bazuar në nenin 194 të Ligjit për Mbrojtjen dhe të Drejtat e konsumatorëve, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lindë e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”.- Gjykata Supreme
Këtë vendim të Supremes, njohësit të drejtësisë, e vlerësojnë të drejtë, pasi nuk ka pasur bazë ligjore ngarkimi për diçka që s’e kanë shfrytëzuar.
Ndërsa, njohësi ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, thotë se këtë herë, Gjykata ka treguar paanshmëri.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 tetor kishte aprovuar kërkesëpadinë e Avokatit të Popullit për anulimin e vendimit të Zyrë së Rregullatorit të Energjisë për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore, qytetarëve të Kosovës.
I njëjti aktgjykim e obligonte ZRrE-në që të ndërmarrë veprime që e obligojnë KEDS-in që të bëjë kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, në vlerë mbi 40 milionë e euro.