
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në 3-vjetorin e rënies së tij në krye të detyrës.
Sveçla ka shprehur krenari që ka shërbyer në të njëjtën kohë dhe për të njëjtën arsye me Bunjakun.
“Ndjej krenari që bashkë me Afrimin kemi shërbyer në të njëjtën kohë dhe për të njëjtën arsye”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka thënë se tre vite më parë Kosova u përball me, siç e cilëson ai, sulmin terrorist më të madh në vendin e pasluftës, për të cilin ka pretenduar se ishte organizuar dhe mbështetur nga aparati shtetëror i Serbisë.
Sipas tij, Bunjaku ra në krye të detyrës duke mbrojtur ligjshmërinë, kushtetutshmërinë dhe sigurinë e qytetarëve.
“Me sakrificën e tij sublime dhe profesionalizmin e jashtëzakonshëm të Policisë së Kosovës, Republika jonë mbrojti territorin, qytetarët dhe rendin kushtetues”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka kërkuar që përgjegjësit për vrasjen e Bunjakut të përballen me drejtësinë, duke përmendur në këtë kontekst edhe Milan Radoiçiqin.
“Drejtësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku mbetet e paplotë deri në arrestimin dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë terroristëve, në krye të të cilëve qëndron Milan Radoiçiq”, ka shkruar Sveçla.
Në fund, ministri ka thënë se Afrim Bunjaku do të kujtohet dhe nderohet gjithmonë, ndërsa sakrifica e tij, sipas tij, do të mbetet pjesë e kujtesës kolektive të Kosovës./Gazeta10