Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Tahiri: Rrëzimi i Ligjit për KPK-në, lajm shumë i mirë për drejtësinë

Gazeta10
24 March 2023 - 20:05

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se rrëzimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës nga Gjykata Kushtetuese është lajm shumë i mirë për drejtësinë.

Gjykata Kushtetuese të premten e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për KPK-në, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.

Tahiri ka thënë për KOHËN se vendimi i Kushtetueses është lajm i mirë për Kosovën që sistemi i drejtësisë nuk po arrin të vendoset nën, siç thotë ai, kthetrat e pushtetit të Albin Kurtit.

“Sot jemi të lumtur që Kushtetuesja na ka dhënë të drejtë mbi ato që kemi thënë për Ligjin për KPK-në. Është lajm i mirë për Kosovën që përfundimisht Prokurori i Shtetit nuk po arrin të vendoset nën kthetrat e pushtetit të Kurtit. Ky është lajm shumë i mirë për drejtësinë”, ka thënë ai.

Ish-ministri i Drejtësisë nën Qeverinë Haradinaj ka thënë se ky ëigj ka synuar që ta vë sistemin e drejtësisë nën kthetrat politike. Ka theksuar se e kanë paralajmëruar edhe ministren Albulena Haxhiu, por edhe kryeministrin Albin Kurti se një ligj i tillë nuk mund të kalojë.

“Ne si Grup Parlamentar i PDK-së, që në momentin kur ka ardhur Ligji për KPK-në në debatin parlamentar që kemi pas, kemi thënë se ky ligj është në shpërputhje me rendin tonë kushtetues dhe si i tillë nuk mund të kalojë. Ne i kemi propozuar Qeverisë që ta tërheqë mbrapa sepse nuk mund të kalojë një projektligj i tillë, i cili zyrën e Kryeprokurorit e vë nën kthetrat e politikës apo më mirë të themi nën kthetrat e Albin Kurtit. I kemi dhënë të gjitha argumentet tona duke mos dashur të kemi betejë politike për një çështje kaq të rëndësishme për drejtësinë, mirëpo këto argumente nuk janë marrë parasysh as nga ministrja, as nga kryeministri dhe ata kanë proceduar projektligjin që të votohet në të dyja leximet. Në afatin kohor e kemi proceduar në Kushtetuese me argumentet tona, të cilat e bëjnë si ligj në shpërputhje me Kushtetutën”, ka thënë Tahiri.

KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, por telefoni i saj ka qenë i paqasshëm.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.