Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Takimi vjetor, Bislimi falënderon Suedinë për mbështetjen ndaj Kosovës

Gazeta10
20 June 2024 - 17:42

Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, të enjten është zhvilluar takimi vjetor me Suedinë, ku delegacioni i Kosovës kryesohej nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Nga ana tjetër, delegacioni suedez kryesohej nga ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, e ku pjesëmarrës ishin dhe përfaqësues të tjerë të lartë të ambasadës suedeze në Kosovë.

Siç ka njoftuar Qeveria, përgjatë takimit, u diskutua mbi kontributin e Suedisë në zhvillimin e Kosovës, pasqyrën e strategjisë së bashkëpunimit zhvillimor të Suedisë, si dhe prioritetet e fushat e fokusit për periudhën 2021-2027.

“U trajtuan më tej më gjerësisht projektet e iniciativat ekzistuese dhe të mundshme në të ardhmen, me ndikim në të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit, barazinë gjinore, gjithëpërfshirjen, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mjedisin, si dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Zëvendëskryeministri Bislimi e ka falënderuar shtetin suedez për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën.

“Takimet e tilla vjetore janë mundësi e thellimit të partneritetit tonë, meqenëse ato shërbejnë për të reflektuar arritjet e deritanishme, sfidat gjatë zbatimit të projekteve si dhe diskutimit të mundësive që paraqiten për të ardhmen”, ka deklaruar zëvendëskryeministri.

Mes të tjerash, ai ka theksuar synimin strategjik për rritjen e ndikimit të projekteve të ndryshme, duke i ndërlidhur ato edhe me reformat, të cilat po i ndërmarrim në kontekst të procesit të integrimit evropian dhe të zhvillimit të vendit.

Pjesëmarrës në takim ishin edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka dhe zyrtarë të tjerë nga kabinetet qeveritare e zyrtarë civil.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.