
Këngëtarja e njohur amerikane, Taylor Swift, ka bërë një gjest humanitar për një nënë të tre fëmijëve nga Connecticut, e cila u godit nga një veturë teksa po ndihmonte një person tjetër të përfshirë në një aksident.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Swift ka dhuruar 50 mijë dollarë në fushatën e mbledhjes së fondeve të Ashley Taunton, e cila po përballet me një periudhë të gjatë rikuperimi pas aksidentit.
Taunton kishte ndaluar gjatë një stuhie shiu për të ndihmuar drejtuesin e një veture të aksidentuar. Në atë moment, një automjet tjetër ka rrëshqitur për shkak të lagështisë në rrugë dhe e ka goditur atë, së bashku me personin që po përpiqej ta ndihmonte.

Si pasojë e lëndimeve, nëna e tre fëmijëve i është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale dhe pritet të ketë një periudhë të gjatë rehabilitimi.
Donacioni i Swift ka ardhur si një surprizë për Taunton, e cila e ka parë këngëtaren të kontribuojë në fushatën e saj me një mesazh mbështetës për të dhe familjen e saj.
Ky nuk është rasti i parë kur Swift bën donacione të mëdha për kauza humanitare. Së bashku me bashkëshortin e saj, Travis Kelce, ajo kishte dhuruar 26 milionë dollarë për 20 organizata bamirësie para dasmës së tyre këtë verë.