
Në Shkollën e Parë Teknike në Kragujevc, mëngjesin e sotëm ka pasur të shtëna me armë, si pasojë e të cilave janë plagosur dy persona të moshuar, ndërsa nxënësit kanë mbetur të padëmtuar. Policia ka njoftuar se sulmuesi është arrestuar menjëherë, ndërsa gratë e plagosura janë jashtë rrezikut për jetën, shkruan gazeta serbe, Danas.
Policia e Kragujevcit ka publikuar një njoftim zyrtar, në të cilin ka bërë të ditur se rreth orës 8 të mëngjesit ka marrë një raportim se në Shkollën e Parë Teknike në Kragujevc ka ndodhur një incident, ku dy persona kanë pësuar lëndime, njëri prej të cilëve është plagosur me shumë gjasë nga arma e zjarrit, ndërsa tjetri si pasojë e thyerjes së xhamit.
Policia ka neutralizuar dhe arrestuar një nxënës 17-vjeçar të kësaj shkolle, i cili dyshohet se ka përdorur një pushkë të kalibrit të vogël në hollin e shkollës.
Drejtori i Shkollës së Parë Teknike në Kragujevc, Nemanja Joksimoviq, u ka thënë gazetarëve se punonjësja ndihmëse, e cila u plagos sot në sulmin nga një nxënës i klasës së katërt, nuk është në rrezik për jetën.
“Ngjarja ndodhi gjatë orës së parë të mësimit, kështu që asnjë nga nxënësit nuk ishte i pranishëm, gjë që është rrethanë e favorshme në këtë situatë”, tha Joksimoviq.