
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me reagimin e ShBA-së kundrejt tensioneve në veri, duke thënë se Kurti po rrezikon raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë për veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë të vendit tonë, që tashmë kanë filluar të rezultojnë me ndëshkime të drejtpërdrejta, pasi Kosova u përjashtua nga stërvitja më e madhe ndërkombëtare e NATO-s në rajonin e Ballkanit, ‘Defender Europe 2023’. Ky përjashtim është shenjë konkrete e përkeqësimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe NATO-s dhe është paralajmërim për pasoja të tjera, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk fillon të sillet në mënyrë të përgjegjshme”, thuhet në njoftim.
Ata kanë dënuar dhunën e përdorur nga serbët kundër KFOR-it, Policisë dhe gazetarëve.
“Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës e dënon fuqishëm dhunën e grupeve kriminale të drejtuar kundër pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe Policisë së Kosovës, dhe veçanërisht kundër përfaqësuesve të mediave, të cilët janë penguar dhe sulmuar në kryerjen e detyrës së tyre në shërbim të informimit të qytetarëve. Anëtarët e Kryesisë shprehën mbështetje të plotë për kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, që vijnë nga radhët e PDK-së, të cilët me përgjegjshmëri kanë treguar gatishmëri për t’ju shërbyer të gjithë qytetarëve, pa dallim, por edhe bëjnë thirrje për rikthimin e normalitetit për të mundësuar zbatimin e mandateve të tyre”, thuhet në komunikatë.
Ata i kanë kërkuar presidentes dhe kryeministrit që ta mbledhin Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
“Edhe një herë, duke pasur parasysh peshën dhe kompleksitetin e situatës si dhe tensionet e ngritura në pjesën veriore të vendit, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës i bën thirrje Presidentes dhe Kryeministrit që të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës vlerëson se situata e krijuar kërkon qasje të përgjegjshme të institucioneve të Kosovës e jo veprime populiste të momentit që mund të sjellin pasoja afatgjata për të ardhmen e vendit.”, thuhet në njoftim./Gazeta10