Bashkimi Evropian ka dërguar ekipe shpëtimi në Turqinë e goditur nga një tërmet i fuqishëm, i cili preku edhe Sirinë, njoftoi sot komisioneri evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic.
Ai ka shkruar në Twitter se kanë aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.
“Pas tërmetit në Turqi këtë mëngjes, ne kemi aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së. Qendra Koordinuese e Reagimit Emergjent të BE-së po koordinon vendosjen e ekipeve evropiane të shpëtimit. Ekipet nga Holanda dhe Rumania tashmë janë nisur drejt Turqisë”, shkroi zyrtari evropian në Twitter.
Një tërmet me magnitudë 7,8 ballë goditi Turqinë jugore dhe Sirinë fqinje duke vrarë shumë njerëz në të dy vendet dhe duke shkaktuar dëme shumë të konsiderueshme, sipas raporteve fillestare që po ndryshojnë vazhdimisht.
Gjermania, Italia dhe Franca ofruan ndihmën e tyre për popullsinë e rajoneve të shkatërruara, siç bënë Belgjika, Polonia, Spanja dhe Finlanda.