
Sezonin e ri, Ngrohtorja e Kryeqytetit “Termokos” do të fillojë me një epokë të re të matjes se energjisë termike, pasi nga tetori i këtij viti afër 17 mijë njësi banimi do të faturohen në bazë të konsumit.
Këtë e ka bërë të ditur kryeshefi Ekzekutiv i “Termokos”, Fisnik Osmani, i cili ka theksuar për këtë vit presin që të kenë të hyra mbi 10 milionë euro.
Osmani ka thënë se pjesa më e madhe e njësive të banimit janë pajisur me matës, por që janë duke punuar që brenda dy viteve të ardhshëm të bëhet mbulushmëria 100 për qind e konsumatorëve.
“Sezona në të cilën po hymë është sezona të themi kritike për ngrohtoren, jo kritike në aspektin negativë, mirëpo kritike në aspektin e përgatitjeve të cila ne duhet ti bëjmë që të kemi një fillim të mbarë të faturimit me konsum. Deri tani ngrohtorja ka faturuar në bazë të metrave katrorë dhe nga ky vit do të filloj ndryshimin e faturimit ose ndryshimin e metodologjisë së matjes. Siç e dini ne përgjatë këtyre 20 muajsh kemi zhvilluar projektin e instalimeve të matësve të energjisë, alukatorëve dhe matësve të ngrohjes. Kjo është zhvilluar në bazë të projektit në 17 mijë e 500 njësi të banimit, prej të cilave më tepër se 16 mijë e 500 janë aktive dhe mund të startojmë këtë vit me këtë matje. Po punojmë që edhe në vitin e ardhshëm pjesa tjetër e konsumatorëve të ngrohtores të cilët nuk e kanë këtë sistem të ndajnë mjetet tona vetanake, të kërkojmë ndihmën nga komuna, qeveria, donatorët që potencialisht për dy vite të ardhshëm të kemi mbulueshmërin 100 për qind të gjithë konsumatorëve tanë”, ka thënë ai.