
Raporti: Saranda Alshiqi / Kanal10
Mbajtja e testit të arritshmërisë për klasat e nënta, edhe këtë vit u cilësua si dështim për nxënësit. Nga Këshilli i Prindërve thonë se me këtë test vazhdojnë të dëmtohen nxënësit, derisa njohës të arsimit, e shohin të nevojshëm ristrukturimin e thellë të këtij testi.
Testi i arritshmërisë për klasat e nënta, po konsiderohet i dëmshëm për nxënësit.
Prindërit dhe njohësit e arsimit kanë dhënë kritika teksa janë shprehur të pakënaqur me mbajtjen e testit edhe këtë vit, meqë sikurse viteve tjera, pyetjet u shpërndanë në rrjetet sociale.
Këshilli i Prindërve, ka vlerësuar se mbajtja e këtij testi vazhdon të keqmenaxhohet, duke dështuar sërish, sistemi arsimor.
Labinot Salihu nga Këshilli i Prindërve, thotë se ky test ka treguar se nuk ka efektivitet dhe se po pësojnë nxënësit.
Edhe njohësit e arsimit e shohin shqetësues mbajtjen e këtij testi.
Rinor Qehaja nga Instituti Ed Guard, thotë se është i nevojshëm ristrukturimi i tërësishëm i këtij testi.
Kanal10 ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit, lidhur me kritikat për testin e arritshmërisë, mirëpo të njëjtin nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.
Të martën e kësaj jave, testi i arritshmërisë u mbajt për nxënësit që përfunduan klasat e nënta.