
Po vazhdojnë që të shtohen pasojat diplomatike për Izraelin, përderisa forcat e tij po e vazhdojnë operacionin tokësor në Gaza. Belizeja, shtet në Amerikën Latine, të martën i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me këtë vend për shkak të luftës.
Duke e përmendur atë që e quajti “bombardim të pandërprerë e pa dallime” në Gaza, Belizeja e tërhoqi mirëseardhjen për ambasadoren izraelite, Einat Kranz-Neiger, dhe njoftoi se e kishte tërhequr kërkesën për akreditimin e konsullit të saj në Tel-Aviv, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Përmes një deklarate, shteti i vogël i Amerikës së Mesme tha se “Izraeli vazhdimisht e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.
Bolivia, shtet në Amerikë Jugore, i ndërpreu marrëdhëniet me Izraelin më 1 nëntor, duke e akuzuar këtë shtet për “krime kundër njerëzimit”, ndërsa Kolumbia, Kili dhe Hondurasi i kanë tërhequr ambasadorët.
Ambasadorin nga Izraeli e ka tërhequr edhe Bahrejni, shtet i Gjirit Persik që kishte vendosur marrëdhënie me Tel-Avivin në vitin 2020 me ndërmjetësimin e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.