Policia e Kosovës, ka njoftuar se dy persona janë therur me thikë sot në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Lipjan, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor, raporton Gazeta10.
Lidhur me këtë vrasje në tentativë, Policia ka arrestuar një person të dyshuar.
“Arrestohet një person i dyshuar për vrasje në tentative. Sot rreth orës 13:40, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Lipjan. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar dy persona, të cilët dyshohet të kenë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë. Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia menjëherë ka identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Rastin për Gazeta10 e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti e cila ka thënë se pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari që është i mitur është dërguar në mbajtje.
“E.K, mashkull (i mitur), pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes. Aktualisht hetuesit janë duke kryer procedurat e nevojshme lidhur me rastin i cili është cilësuar si Vrasje në tentativë.”, ka thënë ajo./Gazeta10