
Në ditën e Bashkimit Evropian kundër trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë u lansua fushatë vetëdijësuese kundër kësaj dukurie. Në lanësimin e saj morën pjesë edhe presidentja, Vjosa Osmani e kryeministri, Albin Kurti të cilët u zotuan se do të punojnë në përmirësimin e gjendjes. Me këtë rast, ata kërkuan nga institucionet të tregohen të pakompromisa në luftimin e trafikimit.
Raporti: Fjolla Xheladini, Kamera: Rexhep Gashi, Montazhi: Resul Igrishta.
Trafikimi me qenie njerëzore vazhdon të mbetet sfidë për institucionet e vendit.
15 viktima të trafikimit janë shënuar vetëm gjatë këtij viti në Kosovë.
Prej tyre, 14 kanë qenë vajza, 11 prej të cilave të moshës nën 18-vjeçare.
Këto statistika janë shfaqur në kuadër të shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit.
Me rastin e lansimit të fushatës vetëdijesuese kundër trafikimit, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se as Kosova nuk është imune karshi kësaj dukurie, por ka kërkuar gatishmëri për luftimin e saj.
Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se luftimi i këtij krimi është urgjent dhe i domosdoshëm dhe se institucionet duhet të jenë të pa kompromis.
Zëvendësministri i brendshëm, Blerim Gashani dhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi janë zotuar se do të ofrojnë mbështetje për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore.
Kritika për Qeverinë e Kosovës sa i përket luftimit të trafikimit të qenieve njerëzore ishin adresuar në korrik të këtij viti edhe në raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan, si dhe për institucionet e drejtësisë që çalojnë në trajtimin e këtyre rasteve./Gazeta10