Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Tri komuna bëhen me kamionë të rinj për shuarjen e zjarreve

Gazeta10
02 October 2026 - 14:28

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka bërë shpërndarjen dhe dorëzimin e tri automjeteve të reja zjarrfikëse për Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në komunat Lipjan, Shtime dhe Drenas.

Ceremonia solemne u mbajt sot në objektin e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent në Hajvali, ku janë prezantuar automjetet e reja dhe investimi në fuqizimin e kapaciteteve për reagim ndaj emergjencave në nivel lokal.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Shefki Abdullahu, ka thënë se ky investim lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e zjarrfikësve.

Automjeti i destinuar për Komunën e Lipjanit është i tipit sulmues, me kapacitet prej 4 mijë litrave ujë dhe 400 litrave koncentrat shkume. Ndërkaq, Shtime dhe Drenasi kanë përfituar nga një automjet furnizues, me kapacitet prej 6 mijë litrave ujë dhe 600 litrave koncentrat shkume.

Në ceremoninë e dorëzimit ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, i cili ka theksuar se reagimi ndaj emergjencave duhet të jetë prioritet institucional, pavarësisht kufijve komunalë apo përkatësive të ndryshme.

Sipas të dhënave të prezantuara në ceremoni, vlera e përgjithshme e tre automjeteve të reja arrin në 1,780,046 euro. Investimi synon rritjen e kapaciteteve të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit dhe përmirësimin e reagimit në rastet e zjarreve dhe emergjencave të tjera.

Automjetet e reja tashmë i janë dorëzuar njësive përkatëse në Lipjan, Shtime dhe Drenas.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.