
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se është shumë e rëndësishme që takimet mes partive politike të vazhdojnë për çështjen e presidentit dhe paralajmëroi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetueses sa i përket mandatit të saj nëse vendi nuk do të ketë president pas 6 tetorit.
Haxhiu ka përkujtuar se kanë mbetur vetëm edhe pak ditë përpara skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, ku sipas saj, pas vendimit të 16 shtatorit për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, nuk ka asnjë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme “me vetëdije të plotë”.
Haxhiu tha se po e konsideron që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas saj, e ka marrë rolin e shkruarjes së Kushtetutës dhe e cila po bën nene pa qenë në Kushtetutë, që ta trajtojë mandatin e saj në rast se vendi nuk do të ketë president pas 6 tetorit.
Kujtojmë, në rast të moszgjidhjes së presidentit të ri deri më 6 tetor, vendi do të shkojë në zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditësh, të cilat njëherësh do të ishin të tretat me radhë brenda më pak se një vit.