
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Prattipati e ka uruar Kurtin “për formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri”.
“Ndërsa, ai e falënderoi ambasadoren për bashkëpunimin dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e madhe, të vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas Qeverisë, gjatë takimit është diskutuar për “marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve si dhe mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e mëtejmë të tyre”.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit dhe aktualitetin politik”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.