Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Tronditet Franca, një i vrarë dhe 4 të plagosur në Paris

Gazeta10
23 October 2026 - 18:24

Një person humbi jetën dhe katër të tjerë mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Trappes dhe La Verrière, në periferi të Parisit, në Francë. Mes të plagosurve është edhe një vajzë 12-vjeçare, e cila u godit nga disa plumba.

Autori i dyshuar, një 39-vjeçar i identifikuar si Kevin T., u arrestua pak pas sulmit. Sipas autoriteteve franceze, ai hapi zjarr nga një automjet, duke qëlluar në disa zona të banuara dhe pranë një farmacie, një zyre postare dhe ambienteve për fëmijë.

Viktima është një 26-vjeçar, i cili ndërroi jetë nga plagët e marra. Të plagosurit e tjerë janë një 20-vjeçar dhe dy punonjës pastrimi, përkatësisht 29 dhe 47 vjeç.

Prokuroria Kombëtare Kundër Terrorizmit ka marrë në dorë çështjen dhe ka nisur hetimet për vrasje në kuadër të një akti terrorist, me dyshimin se sulmi mund të ketë pasur motive raciste.

Kryebashkiaku i Trappes, Ali Rabeh, deklaroi se autori qëllonte pa dallim dhe dyshohet se synonte të shkaktonte sa më shumë viktima. Ai ngriti gjithashtu dyshime se sulmi mund të ketë pasur karakter racist dhe islamofob, pasi mes viktimës dhe të plagosurve kishte persona me origjinë nga Afrika e Veriut.

Sipas mediave franceze, arma e përdorur ishte një automatik i tipit STEN, që daton nga Lufta e Dytë Botërore.

Apartamenti i të dyshuarit, i kurthuar me bombola gazi

Gjatë hetimeve, autoritetet zbuluan se apartamenti i 39-vjeçarit ishte kurthuar me bombola të vogla gazi, raportojnë mediat franceze.

I dyshuari ishte i njohur për autoritetet për vepra penale të zakonshme, por jo për veprimtari të mëparshme terroriste. Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin e sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.