
Komiteti hetues i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, ka votuar të enjten që të ftojë për të dëshmuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, lidhur me trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në ndërtesën e Kongresit.
Një vendim i tillë mund të rezultojë me burgosje të Trumpit, në rast se nuk bashkëpunon me autoritetet.
Nëntë anëtarët e Komitetit – shtatë demokratë dhe dy republikanë – kanë votuar në të mirë të vendimit.
Kështu, Trumpit i kërkohet që të ofrojë dokumente dhe të dëshmojë nën betim, lidhur me ngjarjet e 6 janarit.
“Ai person është në qendër të ngjarjeve që kanë ndodhur më 6 janar, andaj duam të dëgjojmë prej tij”, ka thënë udhëheqësi i Komitetit, Bennie Thompson.