Shkruan: Halil Matoshi
1.
Mas aktit mizor të mbytjes së të riut 18-vjeçar në Podujevë, rikthehet njeriu i shpellës që âsht platit në gjiun e përzdritjes si strehë e normë por jo si qeniesim, pa mujtë me e vra n’tansi bishën brenda vetës.
Ai luron!
2.
Thirrjet e njeriut të turmës – për kthimin e dënimit me vdekje si dhe për varje në shesh – të dy të mitunve agresorë (fëmijë dhe këta) – âsht produkt i mendjës kriminale dhe nevojë mentale për grushtin përfudimtar, pa mendu se e keqja, barbaria banon brenda nesh, porse disa e menagjojnë deri në neutralizim e disave iu rikthehet si etje për “spektaklin” ritualist të goditjes, therrjës dhe dekës së tjetrit/tjerëve nga lloji ynë!
Dhuna e ritualizueme simas përkufizimit nuk âsht e rastësishme, por në dukje e qëllimshme dhe shpesh ceremoniale. Ajo ka një histori të gjatë në praktikat fetare, kanunore, sikur në qytetnimet ma të hershme.
3.
Në veprën e Angela Carter, “The Magic Toyshop” eksplorohet mënyra se si Philip-i i trajton kukullat dhe maskat si objekte pseudo të shèjta, në mënyrë që të ruajë kontrollin për me tregu implikimet e pseudo- shéjtnisë. Victor Chalfant nga Chapman University, përdor dhunën dhe të shèjten nga Rene Girard që shqyrton mënyrën se si kulturat primitive janë në gjendje me ruejt rendin përmes besimeve të veçanta fetare dhe dhunës kolektive kundër një “koke turku.”
Leximi kritik i tekstit e sheh nga afër se si Philip-i përdor pseudo të shèjten për me ndërtu komunitetin.
4.
Në rastin e mizorisë në Podujevë, viktima shfaqet tek turmat si jetim (nji pseudo shenjtni) i cili vritet brutalisht nga monstrumët që “nuk përkasin në ne”, pra perceptohen si “prishje e shoqnisë, sepse, ja që “e shéjta” âsht cenue!?
5.
Kur pseudo e shèjta vnohet përfundimisht në pikëpyetje, komuniteti kërcënohet, vëren Chalfant.
Pseudo – e shéjta ka ende mundësinë me u përjetësue përmes obsesionit të vetë individit ndaj pushtetit dhe kontrollit.
Sëkëndejmi, thirrmat e brimat për zgjatim të spektaklit të dhunës âsht nji lloj catharsis-i, për me u çliru nga bisha brenda nesh , e me e rujtë komunitetin “të paprishun”me njifar obsessioni të pashpjegueshëm ndaj totemit/pushtetit!?
Dmth ky zgjatim drakonik i ndëshkimit ose ritualizimi spektrakular i dhunës, i lihet pushtetit
6.
Kjo âsht rruga e shkurtë, ajo instinktivja e bishës.
Kush ka vakt me mendu për emancipim në epokën e mâs-të-vërtetës!?
Asht luks për njeriun primitiv thirrja për ndamje drejtësie e jo grushti përfundimtar, për të gjithë dhe barabar!?