Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

U dekretua sot në krye të SHISH, kush është drejtoresha e re që pason Vlora Hysenin, sfidat e saj në bashkëpunim me SPAK

Gazeta10
12 November 2026 - 13:19

Kryeministri Edi Rama i beson Esmeralda Hasanit drejtimin e inteligjencës shqiptare, ndërsa presidenti Bajram Begaj paraditen e kësaj të enjteje hodhi firmën duke e dekretuar.

Esmeralda Hasani ka studiuar drejtësi dhe të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Milanos-Bicocca. Pjesë se CV-s së saj janë edhe studimet në planifikimin dhe menaxhimin e projekteve europiane në Europa Cube Innovation Business School, në Bruksel. Në të shkuarën Esmeralda Hasani ka qenë sekretare e përgjithshme në ministrinë e diasporës e drejtuar atëkohë nga Pandeli Majko.

Nga të dhënat e burimeve të hapura online tregohet se Esmeralda Hasani e pesë vite më parë ka mbajtur edhe funksionin e konsulentes pranë Kryeministrisë, me fokus planifikimin e projekteve dhe sigurimin e financimeve.

Drejtoresha e re e SHISH merr timonin e drejtimit të këtij institucioni në një kohë kur inteligjenca shqiptare është përfshirë në një turbulencë të paprecedencë pasi paraardhësja e saj Vlora Hyseni është duke u përballuar me akuzat e SPAK për “nxjerrje të sekretit shtetëror dhe përkrahja e autorit të krimit”.

Përballë kësaj situate sfidat e Esmeralda Hasanit janë të shumëfishta. Duke nisur nga qetësimi i situatës së brendshme në SHISH dhe rivendosja e marrëdhënieve të shëndosha të besimit me SPAK, duke bashkëpunuar në hetime për të zbuluar nëse Vlora Hyseni e kthyer në ‘një Mata Hari’, veprimet e dyshuara kriminale i ndërmori duke bashkëpunuar me drejtorë të caktuar brenda SHISH në dëm të interesit të sigurisë kombëtare.

Me interes pritet të shihet nëse Esmeralda Hasani do të mund të realizojë atë çfarë nuk e kanë mundur ta bëjnë paraardhësit e saj zhveshjen e SHISH nga ndikimi politikës dhe përdorimi për qëllime politike./TCh/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.