
Ukraina tha se trupat e saj kanë marshuar më larg në lindje në territorin e braktisur kohët e fundit nga Rusia, duke i hapur rrugën një sulmi të mundshëm ndaj forcave pushtuese të Moskës në rajonin e Donbasit, ndërsa Kievi kërkon më shumë armë perëndimore, shkruan Reuters, trasmeton Gazeta10.
“Okupatorët janë qartazi në panik,” tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një fjalim televiziv të hënën vonë, duke shtuar se ai tani ishte i fokusuar në “shpejtësinë” në zonat e çliruara.
“Shpejtësia me të cilën lëvizin trupat tona. Shpejtësia në rivendosjen e jetës normale,” tha Zelensky.
Udhëheqësi ukrainas la të kuptohej gjithashtu se do të përdorte një fjalim me video në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të mërkurën për t’u bërë thirrje vendeve që të përshpejtojnë dërgesat e armëve dhe ndihmave.
“Ne po bëjmë gjithçka për të siguruar që nevojat e Ukrainës të plotësohen në të gjitha nivelet – mbrojtjes, financiare, ekonomike, diplomatike”, tha Zelensky.
Forcat e armatosura të Ukrainës kishin rifituar kontrollin e plotë të fshatit Bilohorivka dhe po përgatiteshin për të rimarrë të gjithë provincën Luhansk nga pushtuesit rusë, tha guvernatori i provincës Serhiy Gaidai. Fshati është vetëm 10 km (6 milje) në perëndim të qytetit Lysychansk, i cili ra në duart e rusëve pas javësh betejash të rënda në korrik.
“Do të ketë luftë për çdo centimetër”, shkroi Gaidai në Telegram. “Armiku po përgatit mbrojtjen e tij. Kështu që ne nuk do të marshojmë thjesht.” / Gazeta10.